Kurti kritikon opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të enjten për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se marrëveshjet të cilat po presin të ratifikohen nuk janë të dëmshme, ndërsa ka shtuar se vlera e tyre tejkalon shifrën 360 milionë euro.
“Ka disa muaj që në këtë legjislaturë Kuvendi dhe Qeveria kanë sjell për miratim disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk po kalojnë për shkak të mosvotimit nga ana e opozitës. Vlera e marrëveshjeve që janë në pritje për miratim tejkalon shifrën prej 360 milionë euro. Marrëveshjet që po presin ratifikimin nuk janë të dëmshme. Madje që marrëveshjet janë në dobi të qytetarëve janë në pajtim edhe opozita edhe pse nuk po i votojnë ato”, është shprehur Kurti.
Ai ka theksuar se qeveria mund të vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa u miratuar marrëveshjet ndërkombëtare.
“Me këtë mosvotim nga opozita humbin qytetarët sepse projektet nuk bëhen, sepse humbin grantet dhe kreditë e buta e në vendin e tyre duhet të shpenzojmë paratë e taksapaguesve dhe të marrim kredi me norma shumë të larta, e të cilat në fund prapë duhet t’i paguajnë qytetarët. Detyra e opozitës nuk është të bllokojë punët në kurriz të qytetarëve. Nuk mund të thuash se po bëj opozitë e po brengosem për qytetarët kur bllokohet ligji për çmimet tavan, ligji për pagën minimale e bllokohen marrëveshjet ndërkombëtare për projekte zhvillimore. Nuk bëhet kështu e këtë po e thotë dikush që ka bërë opozitë parlamentare për një dekadë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Sipas tij, nga viti 2011 deri më 2020 kur Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në opozitë në Kuvend janë votuar 377 marrëveshje ndërkombëtare.