Kurti: Krusha e Madhe, dëshmi e krimeve të Serbisë gjenocidale

26 mars 2025 | 15:15

Në nderim dhe përkujtim të të vrarëve në masakrën e Krushës së Madhe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule pranë varreve të 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve, të cilët 26 vjet më parë u vranë pamëshirshëm nga forcat serbe.

Në këtë tubim përkujtimor, në shënim të 26-vjetorit të kësaj masakre mizore, kryeministri Kurti është shprehur se ky vend që mban emrin dhe dhembjen e madhe është dëshmi e krimeve të Serbisë gjenocidale.

“Bashkë me familjarë, të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së Krushës së Madhe, përkujtojmë sot një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25 dhe 27 mars 1999, forcat serbe këtu vranë pamëshirshëm 155 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe dy krematoriumet e Krushës së Madhe. Në krematoriumin e parë, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe kanë  djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ndërsa në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut janë djegur mizorisht mbi 40 civilë të tjerë.

Për këto dy krematoriume të cilat i kishte parë personalisht ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook, gjatë vizitës së tij në qershor të vitit 1999, ai kishte thënë: “ata i kishin vrarë qëllimisht dhe pamëshirshëm”, dhe se “po aq sa ndjen keqardhje për viktimat, ndjen zemërim të thellë, ndaj atyre që kryen këto vrasje dhe ndaj atyre që dhanë urdhërat në Beograd”.

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar.

Kryeministri ka theksuar se është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet, ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave, pra zhdukja e gjurmëve të krimit. “Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera ҫ’njerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me procesin…