Kurti kujton 2 Korrikun, drejton kritika për pushtetin
Sot bëhen 28 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.
Këtë datë ka kujtuar i pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se me shpalljen e kësaj deklarate, delegatët i dhanë formë dhe përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës.
Mirëpo, as me këtë rast ai nuk ka lënë anash kritikat për institucionet e vendit, duke uruar që të mos ketë organizim për këtë datë.
Postimi i plotë i Kurtit në llogarinë e vet në “Facebook”:
Sot shënojmë 28 vjetorin e Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke.
Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë për rezistencë. Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, “vetëvendosja politike” dhe “demokracia autentike”, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim.
Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë.
Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët.