Kurti kujton Artim Jasharin: Ishte pjesë e njësitit ushtarak të UÇK-së që e drejtonte Musë Jashari

06 maj 2023 | 23:39

Me qëllim të njoftimit dhe mobilizimit për protestën e 1 tetorit 1997, natën e 30 shtatorit 1997, Artim Jashari ia kishte marrë veturën babait dhe me të kishte marrë fletushka në Prishtinë që i kishte shpërndarë nëpër Mitrovicë, edhe andej lumit Ibër, ku policët serbë e kishin arrestuar dhe malltretuar.

Ai ishte student i anglishtes në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe paralelisht studionte në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë.

Artim Jashari kishte lindur më 2 korrik 1974 në familjen e Sejdi Jasharit në Mitrovicë, ku familja ishte shpërngulur nga Prekazi.    

Artim Jashari kishte qenë shok dhome me dëshmorin Adrian Krasniqi, ishte koordinuar për aktivitetin e tij me Hamëz Jasharin dhe ishte përfshirë në njësitin ushtarak të UÇK-së që e drejtonte Musë Jashari.

Rezistenca e kushërinjve Jashari në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998 dhe vrasja e 59 shqiptarëve aty, e kishte frymëzuar por edhe e kishte mbushur me zemërim Artim Jasharin.

Natën e 5 majit, Artimi i kishte njoftuar familjarët se po nisej për të kryer një detyrë me rëndësi. Në shtëpi kishte lënë bashkëshorten Sheribanen dhe djalin e vogël Endritin, motrat e tij Meritën, Venerën e Vlorën, vëllain Kastriotin, babain Sejdiun dhe të ëmën që sapo ia kishte rregulluar varësen e automatikut.

I armatosur me atë automatik dhe me dy bomba dore, pas mesnate, Artimi sulmoi një patrullë policore serbe në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë.

Ai vrau tre policë, por njëri prej tyre arriti ta plagoste Artimin, i cili ashtu i plagosur siç ishte, u tërhoq zvarrë deri te shtëpia e Rrahman Bekës nga Dubovci, ku ndonëse iu dha ndihma e parë, Artimi vdiq. Ishte vetëm 23 vjeç. Sot bëhen 25 vite nga rënia e dëshmorit të lirisë Artim Jashari, në mëngjesin e 6 majit 1998 në Mitrovicë.

Lavdi veprës së dëshmorit Artim Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë duke luftuar për lirinë e Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dea Mishel Hoxha ka qënë e eliminuara e parë e…