Kurti kujton djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 24-vjetorin e Epopesë së Çabratit të Gjakovës.
Kurti përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se sot kujtohen djemtë e vajzat që luftuan në këtë betejë, si dhe sakrifica e madhe e tyre për çlirimin e vendit.
Postimi i plotë i Kurtit:
Mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, Çabrati i Gjakovës agoi nën rrethimin e forcave të shumta të Serbisë.
Në mbrojtje të civilëve doli Brigada 137 “Gjakova”. Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë. Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme.
Sot kujtojmë djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit. Kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha për çlirim!
I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës!
Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!