Kurti kujton Fazli Greiçevcin dhe Cenë Dugollin
“17 gushti është data kur i kujtojmë dy martirë të lirisë së Kosovës: Fazli Greiçevcin dhe Cenë Dugollin. Distanca kohore prej 34 vitesh nga vrasja e Fazliut më 1964 te vrasja e Cenës më 1998, tregon se sa e gjatë ka qenë rruga e ne shqiptarëve për t’u çliruar nga regjimi shtypës dhe kriminal i Serbisë”, ka shkruar në “Facebook”, kryeministri Albin Kurti.
“Mësues në fshatrat Vasilevë, Dobroshec e Kishnarekë, intelektual poet në “Rilindje” dhe aktivist politik në Organizatën Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, Fazli Greiçevci u arrestua nga policia sekrete jugosllave UDB dhe pasi u torturua rreth dy javë në burgun e Prishtinës, vdiq nga torturimi. Fazliu u varros në arkivol të mbyllur më 17 gusht 1964”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se atë kohë 31-vjeçar, teksa po përgatiste një aksion, Cenë Dugolli u dekonspirua nga një informator i DB-së, policisë sekrete serbe që e arrestoi dhe njësoj sikur Fazliun, e torturoi deri në vdekje, më 17 gusht 1998.
“Lavdi Fazli Greiçevcit dhe Cenë Dugollit, martirëve në rrugën e gjatë të Kosovës për liri!”, ka shkruar kryeministri.