Kurti kujton Kiçinën dhe Halilajn: Cilido që harron dëshmorët, harron qëllimin
Më rastin e 21-vjetorit të rënies së heronjve Rasim Kiçina e Ragip Halilaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se emrat e tyre duhet të na shërbejnë si njësia e detyrueshme e masës për çfarë kryejmë në emër të mbrojtjes së popullit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Kurti thotë se luftëtarët e çlirimit kishin edhe misionin e mbrojtjes së popullsisë civile, të cilën e kryen me përkushtim deri në flijimin e jetës së tyre, që sipas tij, dëshmon përgjegjësinë e lartë me të cilën u krye lufta jonë çlirimtare.
Postimi i plotë i tij:
Luftëtarët tanë të çlirimit kishin edhe misionin e mbrojtjes së popullsisë civile, të cilën e kryen me përkushtim deri në flijimin e jetës së tyre. Kjo dëshmon përgjegjësinë e lartë me të cilën u krye lufta jonë çlirimtare. Ajo kërkonte edhe çlirimin e atdheut prej pushtuesit, por dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve prej maskrave që kryente pushtuesi serb. Në këtë datë ne duhet të përkujtojmë lavdinë që ngrihet prej dashurisë dhe vetëmohimit të luftëtarëve tanë për popullin.
Sot më shumë se kurrë, emrat e Rasim Kiçinës dhe Ragip Halilaj duhet të na shërbejnë si njësia e detyrueshme e masës për çfarë kryejmë në emër të mbrojtjes së popullit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Rasimi dhe Ragipi dhanë jetën për këta dy përbërës të kombit, integritet njerëzor dhe territorial. Dëshmorët tanë janë ata që masin përgjegjësinë dhe ndërgjegjen tonë. Cilido që harron dëshmorët, harron qëllimin. Sepse, vetëm në personin e dëshmorit qëllimi mbetet i pazbehur.