Kurti kujton Masakrën e Nakaradës: Sistemi i drejtësisë të veprojë me ngulm për të gjitha krimet kryera nga Serbia

21 prill 2024 | 17:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Nakaradës, ku 16 burra e djem u morën nga ushtria serbe, e pas shtatë vitesh u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit.

Kurti tha se ende autorët e kësaj vepre nuk janë dënuar e as urdhërdhënësit.

Më tutje i pari i qeverisë bën thirrje që sistemi i drejtësisë të veprojë me ngulm për të sjellë drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

“16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre. Për herë të fundit u panë më 21 prill 1999, me duart e lidhura pas shpine, gjersa nën kërcenime e dhunë, ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite. Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës)”.

“Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000. Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre”.

“Bëjmë thirrje edhe njëherë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, për të sjellur drejtësi për Nakaradën dhe të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”.

“Lavdi për martirët e Nakaradës! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liverpool dhe Manchester City janë dy nga klubet e interesuara…