Kurti: Kulla e Jasharëve është një margaritar i historisë sonë të lavdishme
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministra e deputetë, ka bërë homazhe para varreve të Jasharajve, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë.
Kurti ka folur edhe për ndërhyrjet emrgjente që janë duke u bërë te Kulla, duke thënë se është një margaritar i historisë sonë të lavdishme.
“Sot me rastin e 24-vjetorit të sulmit mbi Jasharët, në 22 janarin e vitit 1998 erdhëm të bëjmë homazhe tek varret e tyre dhe njëkohësisht më pas të shikojmë se si janë duke u bërë ndërhyrjet emergjente në kullën e Jasharëve, si janë duke u bërë shtrëngimet fillestare në mënyrë që kjo ndërtesë të mos degradohet dhe të mbrohet”, ka thënë Kurti.
“Para se të ndodhte Epopeja e UÇK-së ka pasur edhe sulme tjera mbi këtë kullë, sulmi i parë në këtë kullë është në vitin 1991, ne e kemi obligim institucional kombëtar e shoqëror që këtë objekt të historisë të veçantë të Kosovës dhe kombit shqiptarë në përgjithësi ta mirëmbajmë sepse është një margaritar i historisë sonë të lavdishme e njëkohësisht edhe të dhimbshme”, ka deklaruar Kurti.