Kurti: Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar pas homazheve e lamtumirës së fundit që iu dha sot Ismail Kadaresë.
“U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar. Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë. Rend i gjatë: në një rresht njerëz nga të gjitha trevat dhe shtresat. Ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot”, shkroi Kurti.
Kurti tha se as gjysmën e librave të historisë s’besoj se do t’i kisha lexuar sikur të mos ishin romanet e Kadaresë.
“Letërsi që të cyt kah historia për t’iu rikthyer mandej atyre romaneve. Domosdoshmëria dhe pamjaftueshmëria e historisë, njëkohësisht. Bukuria që ta shuan imagjinatën dhe inteligjenca që ta nxit kureshtjen, po ashtu njëkohësisht. Ndërkohë, fiton kulturë”, shkroi Kurti në facebook.
“Brezi im është rritur me Ismail Kadarenë. Me të mësuar shkrim-lexim: Princesha Argjiro. Në fillore: Kështjella. Në gjimnaz: Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Më pas: çdo roman i tij që na binte në dorë. Tash: gjithçka që ka shkruar e botuar. Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh). Pusho i qetë shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde”, përfundoi Kurti.
Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, u varros më 3 korrik në Varrezat e Tufinës në periferi të Tiranës.
Ceremonia e varrimit u zhvillua në një rreth të ngushtë familjar, me kërkesë të familjes së tij. Reporteri.