Kurti: Kurrë s’kam pasur takime më shumë me serbët lokalë sesa në vitin 2022
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije ka takime të shumta me serbët lokalë.
Në edicionin e dhjetë të Javës së Gruas me temën: Barabarësia: Parakusht për Ripërtëritje të Demokracisë”, ai ka thënë se kurrë s’kam pasur takime më shumë me serbët lokalë sesa në vitin 2022.
Ai ka bërë me dije se këto takime nuk i bën publike nga frika e hakmarrjes.
“Unë kurrë nuk kam pasur takime më shumë takime me serbët lokalë sesa në vitin 2022. Por më duhet të them që pothuajse të gjitha ato takime nuk janë bërë publike dhe kjo bëhet me kërkesë të atyre që i takoj, dhe si për të vërtetuar që kanë pasur të drejtë, kur isha me ministrin tim për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rsashiq në Istog në dy familje serbe, pasi që i kemi publikuar ato dy takime, menjëherë ka pësuar një hakmarrje strukturore e eksponentëve të caktuar të strukturave paralele të Serbisë, të cilët kanë filluar që atyre t’u vështirësohet jeta, qoftë duke ua ndalur ndihmat, qoftë duke pasur pasoja në sistemin arsimor ata dhe familjet e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka treguar se këto hakmarrje po bëhen nga Beogradi zyrtar.
“Menjëherë po pason goditja nga Beogradi zyrtar dhe mekanizmat që i ka në Kosovë, atëherë kur ata po bashkëpunojnë me Qeverinë e Republikës”, është shprehur Kurti.