Kurti: Kush ka vajza botën ka
Është lansuar fushata “Të Gëzoheni me Fëmijë”, e udhëhequr nga UNFPA në partneritet me IPKO Foundation, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është adresuar me një video-mesazh gjatë eventit, ka thënë se qeveria është e përkushtuar që të mbështesë të gjitha kategoritë pa dallim.
“I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”, ka thënë ai.
Nga të pranishmit është pohuar se fushata ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë dhe ndërlidhjen e saj me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se po punohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve e shërbimeve.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se qasja në arsim do të jetë e barabartë për të gjithë, e sidomos për vajzat.