Kurti: Kush po del nga Vetëvendosje po përfundon në prehrin e PDK-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kush largohet nga kjo lëvizje përfundon në prehrin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ai në mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka folur për dialogun me Serbinë si dhe ka komentuar mesazhet e publikuara të deputetëve të PSD-së me zyrtarët e partive në pushtet.
Ai ka thënë se fillimi i Vetëvendosjes në këtë vit ishte i pazakontë me daljen e disa anëtarëve të saj, por sipas tij ata nuk ia dolën ta dëmtojnë këtë lëvizje.
“Nuk e dinim pse ndodhi kjo, cilat ishin arsyet dhe shkaqet e qëndrimit armiqësor ndaj lëvizjes dhe ndaj meje. Arsyen e kësaj tentative hileqare e kuptuam vetëm dje kur i pamë në medie mesazhet e publikuara”.
“Trishtohemi që parashikimet tona po dalin të sakta. Kushdo që po del prej Vetëvendosjes po përfundon në prehër të PDK-së”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, duke folur për dialogun me Serbinë, Kurti ka përmendur idenë e presidentit Hashim Thaçi për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Skenari i Thaçit për ndarje e mori përgjigjen në protestën popullore të 29 shtatorit ku dhjetëra mijëra qytetarë dolën kundër këtij plani. E mesazhet e publikuara tregojnë se 12 deputetë tashmë Thaçi i paska blerë, janë borxhlinj të Thaçit dhe të Kadrisë. Tashmë ata flasin sikur Kadria dhe mbështesin Thaçin”, ka deklaruar Kurti .
Ai ka thënë se arsyeja se pse Thaçi po kërkon që të ketë marrëveshje me Serbinë deri në pranverë, sipas tij është për shkak se atëherë i përfundon imuniteti në Gjykatën Speciale.