Kurti: Kushtetuta e Kaçanikut, gurthemel i shtetësisë së Republikës së Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se tri dekada më parë, më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik e kishin miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e shpallur Republikën e Kosovës si shtet demokratik të kombit shqiptar dhe të pjesëtarëve të pakicave.
Kurti ka thënë se edhe pse të lënë në harresë nga pushtetet e deritanishme, me krenari e respekt kujtojnë delegatët nënshkrues të Kushtetutës së Kaçanikut.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës ishte rrjedhimi i logjikshëm politik i 111 delegatëve votues dhe 114 delegatëve nënshkrues të Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990, të cilët nën kërcënimin e tytave të armëve të policisë serbe, njëzëri dhe të bashkuar nënshkruan aktin e parë legal e legjitim të vetëvendosjes politike të kombit shqiptar në ish Jugosllavi. Sot, edhe pse të lënë në harresë nga pushtetet e deritanishme, me krenari e respekt kujtomë delegatët nënshkrues, të gjallë dhe ata në përjetësi”.
“Kushtetuta e Kaçanikut, përveç gurthemel i shtetësisë së Republikës së Kosovës, është triumfi i legjitimitetit popullor të vullnetit të lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë. Ky vullnet i lirë i dhe i ligjshëm u rilegjitimua me referendumin për Republikën e Kosovës si shtet sovran e i pavarur më 30 shtator 1991, dhe u kurorëzua me luftën çlirimtare të popullit shqiptar të organizuar e udhëhequr nga UÇK-ja për çlirimin e Republikës së Kosovës nga okupimi e sundimi serb më 12 qershor 1999”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.