Kurti: Lajmet e rreme çuan në barrikada, personat me të kaluar kriminale i rezistuan vendimit (video)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur deklaratën e dhënë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku ka theksuar rreziqet e lajmeve të rreme, veçanërisht në lidhje me vendimet për reciprocitet për targa e dokumente me Serbinë.
Sipas Kurtit, dezinformomi i tillë ka çuar në barrikada dhe shkelje të lëvizjes së lirë në veri të Kosovës.
Në lidhje me këtë, Kurti dje u është drejtuar qytetarëve serbë në gjuhen e tyre ku ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme të gjitha informatat për vendimet e reja i ka publikuar në serbisht.
“Sido që të jetë, kampanja jonë e informimit më 29 korrik rreth vendimeve të qeverisë dhe thirrja jonë për të respektuar ligjin ishte përballur nga një kampanjë që synim kishte dezinformimin publik, nxitjen e frikës dhe destabilizimit”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se krejt kjo i ka shërbyer barrikadave, teksa ka thënë se në to (barrikada) kishte persona të armatosur e me të kaluar kriminale që i rezistuan vendimit të qeverisë vetëm për ta mbrojtur krimin e organizuar në veri të vendit.