Kurti: Ligji për pagat nuk është shtyrë për vitin e ardhshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është në dijeni për përgatitje të kërkesave për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE) nga ana e operatorëve ekonomik në kuadër të rritjes së çmimeve për faturat e energjisë elektrike.
Sipas Kurtit një përgjigje shtetërore dhe profesionale do të ketë nga ZRrE-ja.
“Së pari nuk jam në dijeni për përgatitjet e kërkesave për ZRrE-në nga ana e operatorëve ekonomik, pra s’jam në dijeni për këtë ato shkojnë tek zyra e ZRrE-së dhe besoj aty duhet të ketë një përgjigje shtetërore dhe profesionale”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Më tutje, Kurti është pyetur nga gazetarët për Ligjin e pagave. Kurti ka theksuar se Ligji për pagat nuk është duke u lënë për vitin e ardhshëm, por sipas tij po punohet intensivisht që të përfundohet sa më shpejtë.
“Projektligji për pagat nuk është shtyrë për vitin e ardhshëm, përkundrazi po punohet që të finalizohet që sa më shpejtë edhe të nxirret në diskutim publik”, ka thënë ai.