Kurti: Liridona Ademaj u vra me paramendim, u vra se ishte grua
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademajt, duke thënë se ajo u vra se ishte grua.
“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua”.
“Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë. Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shkroi Kurti,
“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”.
“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend. Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”..
“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, shkroi kryeministri Albin Kurti.