Kurti: Luftimi i korrupsionit nuk është i pashpresë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë me dije se vetëm 10 për qind e familjeve në Kosovë paguajnë ryshfet kur marrin shërbime bazë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se nuk ka pjesëmarrje masive në korrupsion.
Kurti ka thënë se luftimi i korrupsionit në vendin tonë nuk është i pashpresë.
“Vetëm 10% e familjeve në Kosovë paguajnë ryshfet kur marrin shërbime bazë. Dmth. nuk ka pjesëmarrje masive në korrupsion, ajo është shumë më e ultë sesa në vendet e afërta, psh. në Mal të Zi është 34%. Kjo sipas Barometrit Global të korrupsionit të Transparency International 2016, cituar te Draft Strategjia Shtetërore kundër Korrupsionit 2018-2022 dhe Plani i Veprimit. Pra, për ta luftuar korrupsionin në Kosovë nuk është gjendja aq e pashpresë – korrupsioni është i madh, sepse i lartë në nivele të larta, por jo edhe aq i përhapur. Problemi është se prokurorët dhe gjyqtarët më shumë i frikësohen qeverisë dhe oligarkëve sesa anasjelltas. Si një këngëtar që nuk këndon, i këtillë është kryeprokurori Aleksandër Lumezi: kryeprokuror pa (krye)aktakuza”, ka shkruar Kurti.
/Epoka e re/