Kurti: Marrëveshja Serbi-Rusi duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar nga ministri i jashtëm serb Nikola Selakoviq dhe ai rus Sergei Lavrov duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore demokratike.
Kurti komentoi edhe deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq i cili tha se ka informacione që kryeministri i Kosovës ka qenë në kërkim të artilerisë me rreze veprimi më shumë se 10 kilometra.
“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të Mbrojtjes, kemi ministër të Punëve të Brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjin tonë verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviqit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me Federatën Ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, tha ai, shkruan KP.
Në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.