Kurti: Marrëveshjet e kaluara zbatohen vetëm në përputhje me Kushtetutën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës, ka folur lidhur me planin evropian dhe është ndaluar edhe të zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti ka thënë se kjo marrëveshje i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Marrëveshja i hap rrugës tonë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përmes pranimit të kapacitetit ligjor për anëtarësim në NATO, ku për herë të parë Ushtria jonë shndërrohet në partner të NATO-s. Anëtarësim në BE, Këshillin e Evropës dhe kështu me radhë. Kam vërejtur se ka shumë keqkuptime”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës, ku është duke raportuar për dialogun me Serbinë.
Kurti nuk ka pranuar ta ndajë marrëveshjen e asociacionit si të vetme. Vetëm ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet që zbatohen, do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Nuk do të lejoja të negocioj asgjë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe diçka që lejon mono-etnicitetin apo krijon hapësira për ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Asnjë nga këto, asnjëherë. Asnjë nga gabimet e qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë. Shumë detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndoshë i kupton lehtë ato nga një lexim i veprimeve dhe teksteve që kam bërë. Në këtë pikë, më lejoni të theksoj që i vetmi nen ku ka problem në këtë marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara e që ka konsensus ndërkombëtar që duhen zbatuar. Neni 10 i marrëveshjes në fjalinë e fundit që thotë se marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar”, ka thënë Kurti.
“Unë kam pranuar që ekziston një thes me marrëveshje. Dhe për të zbatuar këto marrëveshje, duhet të zbatohen sipas rrjedhës kohore dhe normalizimit kushtetues e ligjor. Nëse më pyesni a i zbatoni të gjitha marrëveshjet e kaluara, përgjigja ime është Po, vetëm nëse zbatohen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk lejoj përjashtime apo veçime në një”, ka thënë Kurti.