Kurti: Masakra e Abrisë, njëra nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e fshatit Abri të Komunës së Drenasit.
Në 26-vjetorin e kësaj masakre, Kurti ka vlerësuar se ajo është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke shtuar se për këtë mizori ende askush nuk është dënuar.
“Më 26 shtator 1998, pjesëtarë të tri njësive të policisë së Serbisë dhe kontigjente të Ushtrisë Jugosllave, hynë në fshat. Anëtarët e familjes Deliu po strehoheshin në mal. Ata i qëlluan nga afërsia e pastaj ua gjymtuan kufomat. Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar. Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.