Kurti mbledh ministrat
Qeveria e Kosovës do ta mbajë sot mbledhjen e radhës.
Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit bëhet me dije se mbledhja nis nga ora 11:00.
Rendi i ditës për këtë mbledhje nuk është bërë ende.
Mbrëmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar një fotografi në Twitter, ku në sfond ndodhet flamuri grek.
Shefi i qeverisë shkroi aty për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Duke qëndruar këtu 2 dekada pas Samitit të Selanikut, më kujtohet udhëtimi që Kosova ka bërë drejt BE-së, një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për paqen dhe demokracinë”, shkroi Kurti.
“Në Evropën që po përjeton përsëri luftën, më kujtohet gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe përfshirja janë e vetmja rrugë përpara”, tha Kurti, i cili ka qenë për dy ditë në Athinë, pas ftesës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Kurti ishte në mesin e disa liderëve nga Ballkani Perëndimor, të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë që morën pjesë në një darkë joformale më 21 gusht në Athinë me rastin e 20-vjetorit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.