Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë, dronët që u përdoren ndaj Izraelit janë ‘Shaheed’, mijëra të tillë i ka edhe Serbia
Mbrëmë, me ftesë të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbledhur Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Tema qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj Shtetit të Izraelit dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.
Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si një akt të paprecedentë që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë.
Sulmi është kryer me dronin iranian “Shaheed”. Mijëra dronë të tillë i posedon edhe Serbia, e cila vazhdimisht shfaq sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ne ndajmë.
Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës po ndjekin me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit dhe po monitorojnë situatën e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë.