Kurti: Më 26 prill do të protestojmë para Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka mbajtur sot konferencë për medie, në të cilën ka thënë se korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë.
Sipas tij, kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot.
Ai ka paralajmëruar më 26 prill do të organizohet protestë para ndërtesës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Andaj të premten e 26 prillit 2019, në ora 5 n’12, pra 5 minuta para mesditës, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve për protestë paqësore para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën ‘Luan Haradinaj’, në Prishtinë. Ky Lepur nuk e ka vendin në rrugën që mban emrin Luan”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, me këso lepurushash nuk mbahet republika e nuk bëhet shteti.
“Me hajna nuk ka shtet, por as me lepurusha nuk bëhet shteti”, ka theksuar Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes ka thënë se prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike.
“Në vend se presidenti, kryeministri e kryeparlamentari t’i frikësohen kryeprokurorit, ky iu frikësohet atyre. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë ministra kaq shumë të korruptuar. Mirëpo, asnjë ministër i qeverisë nuk i frikësohet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, dhe, ky i druhet cilitdo, pra secilit, prej tyre. Në Kosovën tonë të dashur nuk mund të kemi luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, nuk mund të kemi gjyqësor të drejtë e drejtësi gjyqësore, me kryeprokuror Aleksandër Lepurin”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, me këtë kryeprokuror, shteti i Kosovës nuk është Republikë, por Lepurblikë.
“Nga raportimet e përditshme nëpër medie për aferat korruptive të qeverisë e deri te të gjeturat e shumta të Zyrës Kombëtare të Auditimit, asgjë nuk i bën përshtypje këtij kryeprokurori. Ai është frikacak dhe, mbase, i shantazhuar. Sulmit dhe kërcënimeve të kryeministrit ndaj prokurorit Elez Blakaj, ai ju përgjigj me sulme e kërcënime shtesë kundër vartësit të vet. Asnjë prokuror i Kosovës, ama bash asnjë, nuk foli as sot e kësaj dite, 8 muaj më vonë”, ka deklaruar Kurti.
/Epoka e re/