Kurti: Më 6 tetor unë bëhem kryeministër, Vjosa Osmani kryeparlamentare
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për “Deutsche Welle” ka thënë se më 6 tetor LV-ja do të fitojë ku ai do të bëhet kryeministër, ndërkaq Vjosa Osmani do të bëhet kryeparlamentare.
Kurti ka thënë se do të jetë një kryeministër i një qeverie të mirë, progresive, e cila do ta bëjë të panevojshme një opozitë si puna e Vetëvendosjes në legjislaturat 4,5,6.
“Po është e vërtetë, si kryeministër nuk do ta dëshiroja ta shoh një opozitë, siç ishte vetëvendosja dikur. Mirëpo as që do të ketë nevojë për një gjë të tillë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se prioritet mbi prioritet do të jetë luftimi i krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik me investime të përqendruara në gjenerimin e punësimit dhe luftimi i pabarazive.