Kurti: Me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet të gjithë do të kenë paga meritore
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka kritikuar Qeverinë Haradinaj, e cila sipas tij nuk është duke u marrë me problemet e qytetarëve, siç janë bora, i ftohti dhe ndërprerjet e rrymës elektrike.
Ai ka thënë se partitë në pushtet për të siguruar vota e kanë mbushur Telekomin e Kosovës me punëtorë pa nevojë.
“Tash ata po përpiqen ta privatizojnë Telekomin e Kosovës, një ndërmarrje e cila vazhdimisht del me fitim po të mos ishte duke u vjedhur prej partive në pushtet e kontratave të dëmshme sikurse ajo me ‘Z-Mobile’”, ka thënë Kurti.
Po ashtu Kurti ka shtuar se si pasojë e privatizimit, pjesa më e madhe e territorit të vendit mbetet ma rrymë.
“Ka qenë pikërisht mendësia dhe ideologjia e privatizimit që i solli këto probleme kur pjesë të mëdha të territorit dhe popullsisë mbetën pa rrymë sepse kompania private që duhet të investojë në rrjetin e shpërndarjes nuk e bën këtë, por vetëm vjel të ardhura e fitime që i dërgon jashtë vendit”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka humbur 85 milionë euro vitin e kaluar për shkak të keqqeverisjes.
“Për shkak të keq investimit i kemi humbur paratë me të cilat do të mund të ishin dyfishuar pagat e mësuesve dhe mjekëve. Pse ndodh kjo? Sigurisht për shkak të keqqeverisjes dhe drejtimit të gabuar politik”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti është zotuar se me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, mësuesit, mjekët e punëtorët e administratave publike do të kenë paga meritore.
Kurti ka përsëritur se synim i Vetëvendosjes do të vazhdojë të jetë edhe eliminimi i pabarazisë në vend.
https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/355498711710208/