
Kurti me bashkëpunëtorë bëjnë homazhe të varri i Arbënor Deharit
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me aktivistët e kësaj lëvizje kanë bërë homazhe të varri i Arbënor Dehari, me rastin e 6-vjetorit të ndarjes nga jeta.
Kjo lëvizje ka theksuar se sot Arbënori do të kishte qenë 35-vjeçar me plot angazhim e përkushtim, mendim dhe entuziazëm për vetëvendosjen e popullit tonë, për barazi shoqërore dhe për zhvillim ekonomik.
“Arbënori mishëronte modelin e aktivistit që veprimin politik nuk e shihte si një akt spontan të izoluar, por si rezultat dhe kulmim të një pune organizative. Veprimi politik për të ishte shpallja publike e ekzistencës së mrekullueshme të një kolektivi politik barazitar që e mundëson veprimin. Kjo e mbante Arbënorin jo në akte politike të izoluara dhe individualiste, por në një lëvizje permanente kolektive. Aktivisti është i tillë vetëm për sa është me të tjerë aktivistë. Kjo bindje e Arbënorit është bindja jonë dhe kjo e mban atë të pandashëm prej nesh dhe kujtimi i tij na mban edhe ne po ashtu”, ka njoftuar Vetëvendosje, raporton “Epoka e re”.