Kurti me deklaratë të çuditshme: Po më thoni ‘Albin Baba’ se e keni ndërmend me m’i dhënë fëmijët me ua rrit unë
Kryeministri Albin Kurti, që po kandidon edhe për një mandat në krye të ekzekutivit, në një tubim zgjedhor ka bërë një deklaratë pak të çuditshme.
Kurti ka thënë se e ka një mendim pse e thërrasin “Albin Baba” në tubimet elektorale: “Pikërisht pse e keni ndërmend me m’i dhënë fëmijët e juaj që me ua rrit unë”, ka thënë Kurti.
“E kam një farë përshtypje që, pikërisht, për shkak se ne do të kujdesemi gjithnjë e më shumë për fëmijët, pikërisht se pse e keni ndërmend me m’i dhënë fëmijët e juaj që me ua rrit unë jeni duke më thënë ‘Albin Baba’”.
Kurti ka thënë se kjo frazë e sfidon dhe se e pranon sfidën.
“Po unë e pranoj këtë sfidë, këtë sfidë që po ma bëni ju mua, ‘merrni ju qeveria, kryeministri, rritni fëmijët tanë se e keni ndërmend me punuar ma shumë, këtë sfidë unë e pranoj me shumë nder e gëzim. Veç punoi sa më shumë, veç studioni sa më shumë, veç mësoni sa më shumë sepse Qeveria ka me u marrë edhe me pleqtë juaj edhe më fëmijët e juaj”, është shprehur ai. /KlanKosova