Kurti: Me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfërit me fat Fitër Bajrami!
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar festën e Fitër Bajramit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se pas agjërimit të përditshëm në Ramazan dhe bashkimit të rregullt për Iftar erdhi festa e përbashkët e Fitër Bajramit. “Urime e me gëzime!”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka thënë se vetëpërmbajtja individuale përgjatë një muaji, sakrifica vetëmohuese e kalitja shpirtërore vazhdohen me shumë solidaritet për ata që kanë më pak.
“Festa është e të gjithëve kur është për të gjithë. Me dashuri rreth sofrës së përbashkët, plot shpresë në zemra që agjërimi të jetë i pranuar, e me dorën e zgjatur të përkrahjes për të varfërit me fat Fitër Bajramin!”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se: “Sivjet dhe sot, Fitër Bajrami përputhet me ditëlindjen e Mulla Idriz Gjilanit i cili e shkriu jetën e vet për leximin dhe mësimin, për shkollimin e brezave, derisa ra dëshmor në betejë për liri e për bashkim kombëtar këtu e 70 vjet më parë. Le të festojmë sepse le të anojmë kah e drejta, kah e mira, kah e vërteta, kah e mbara, kah e bukura”, ka shkruar Kurti.