Kurti: Me Lajçakun nuk bisedova për arkiva
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin që ka pasur dje me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk kanë biseduar për arkivat e as për reciprocitetin ndaj Serbisë.
“Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për propozimet tona që i kemi dhënë për raportet me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk e kemi diskutuar as çështjen e reciprocitetit, përveç kam theksuar se krerët e shteteve evropiane, kanë pranuar një letër nga unë për shkeljet që po i bën Serbia”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.
Ai ka treguar temat të cilat i ka diskutuar me diplomatin e BE-së janë përmendur në komunikatën për medie të Zyrës së Kryeministrit.
“Nuk kemi biseduar tema të cilat nuk janë përmendur në komunikatë, nuk ka pasur diçka të re që do të mund ta ndaja me juve si lajm. Nuk do të ketë takim para 6 tetorit, kur kemi samitin në Slloveni midis BE dhe 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka një datë të caktuar kur do të jetë takimi jonë i radhës”, ka deklaruar ai.