Kurti: Me Mustafën u pajtuam që brenda 72 orëve pas certifikimit të zgjedhjeve ta bëjmë koalicionin
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka folur për medie pas takimit me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Kurti ka thënë se me Mustafën janë pajtuar që brenda 72 orëve pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja ta bëjnë marrëveshjen për koalicion në mes të LV-së dhe LDK-së.
“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së, me ç’rast në të njëjtën kohë patëm edhe takimin e grupeve tona punuese që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisë. Në këtë takim ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, dhe u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të takohemi që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre katër ditësh pastaj. Jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime e përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa tashmë është e dhënë. Ne do të takohemi një orë pas certifikimit të rezultateve. Ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve marrëveshjen përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, ka thënë Kurti.