Kurti me një grup studentësh të huaj bisedon për rëndësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë

09 qershor 2020 | 20:49

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë me dije se sot ka bashkëbiseduar me rreth 20 të rinj nga Amsterdam University College, të cilët janë duke studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Çdo vit, një grup studentësh nga ky institucion e viziton Lëvizjen Vetëvendosje!, por kësaj radhe, për shkak të pandemisë Covid-19, diskutimin e zhvilluam online”.

“Unë u tregova për të arriturat e Qeverisë sonë gjatë katër muajve që ishim në detyrë dhe për sfidat me të cilat u ballafaquam që nga marrja e mandatit. Meqë këto ditë aktivistët tanë janë duke mbledhur nënshkrime për peticionin ‘Duam Zgjedhje’, biseduam edhe për rëndësinë që kanë zgjedhjet në një vend demokratik si shprehje e vullnetit të qytetarëve dhe përtërirje e legjitimitetit të institucioneve”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se studentët u interesuan të dinë më shumë për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike dhe bisedimet me Serbinë.

“Unë ju shpjegova që nuk i preferoj evropianët që janë anti-amerikanë e as amerikanët që janë anti-evropianë; se BE dhe ShBA nuk mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën, dhe, për Kosovën, të dyja këto janë të pazëvendësueshme nga kushdo tjetër”.

“Në fund, ju dëshirova një mbyllje të suksesshme të semestrit dhe të gjithë uruam që të përfundojë sa më parë pandemia e që vitin e ardhshëm të mund të takohemi në Prishtinë”, ka shkruar ish-kryeministri Kurti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paulo Dybala ka thënë se do ta pëlqente shumë po…