Kurti me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkan diskuton për zhvillimet në Kosovë

14 shtator 2020 | 14:44

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe, ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kanë pritur në takim përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkan, Arne Sannes Bjornstad, dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Sipas njoftimit të LV-së, gjatë këtij takimi janë përfshirë shumë tema.

“U diskutua mbi situatën tejet të rënduar me Covid-19 nga qershori e këndej, dhe rrezikun e përkeqësimit me ardhjen e stinës së vjeshtës dhe dimrit. Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është shprehur edhe në ndihmat e fundit me 20 respiratorë nga Norvegjia. Ndër çështjet e trajtuara ishte edhe situata gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, dialogu me Serbinë dhe katër lëndët e adresuara nga Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese për të cilat po priten vendimet, si dhe përgatitjet që po bën Lëvizja për zgjedhjet e reja”, është theksuar në njoftimin e LV-së.

Kurti ka falënderuar përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkan, Bjornstad, dhe ambasadorin Grondahl për përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë ndaj Kosovës dhe u zotua për fuqizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

(F.D / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ditën e parë të vitit të ri shkollor 2020/2021 nxënësit…