Kurti: Me punë e përkushtim do ta realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor
Kryeministri Albin Kurti i ka uruar nxënësit, mësimdhënësit e prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Në veçanti uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre dhe të shtetit të Kosovës. Për ta përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore, po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka thënë se arsimi dual për këtë vit shkollor po zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna, duke ndërtuar kështu urën ndërmjet arsimit dhe ekonomisë, diplomës së shkollës dhe vendit të punës.
“Me punë e përkushtim do ta realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndrrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë”, ka theksuar Kurti.