Kurti: Me qeverisjen tonë arsimi i lartë publik është bërë falas
Kryeministri Albin Kurti thotë se me qeverisjen e tyre, arsimi i lartë publik është bërë falas për të gjithë sepse arsimi është e drejtë e pakushtëzuar.
Ai thekson se është rritur buxheti për arsim, pasi siç thotë ai ” investimi në arsim, është investim me kthim të sigurt”.
“43 mijë studentë ndjekin studimet e tyre në nivelin bachelor dhe master falas. Duke filluar nga ky vit shkollor, arsimi dual është zgjeruar në 12 profile profesionale, nga vetëm katër sosh sa ishin në vitin pararendës, në gjithsej 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna gjithandej vendit. Arsimi dhe aftësimi profesional është njëri nga projektet më të mëdha të transformimit të ekonomisë sonë.
U ndanë afër 4 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, prej të cilave mbi 2,900 për fushat STEM, duke i dhënë vëmendje të veçantë vajzave që studiojnë këto fusha. Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinë aktualisht është në masën 50%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së është 17%. Në prill të këtij viti organizuam për herë të parë konferencën “STEMinist”, kushtuar rëndësisë së përfshirjes së vajzave dhe grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, që tash e tutje do të jetë pjesë e kalendarit vjetor të Qeverisë. Përveç bursave në nivel të universitetit, ndamë edhe 500 bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe 400 mijë euro për mbështetjen e 21 qendrave mësimore nga të cilat më së shumti përfitojnë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë. Ndërkaq për edukim të hershëm, ndërtuam e po renovojmë ose adoptojmë gjithsej 31 çerdhe të reja.
Krahas rikthimit në ENQA si anëtare e asociuar, pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim në vitin 2019, morëm statusin e asociuar në programin “Horizon Europe” me të drejta të plota, program ky që e mundëson bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kërkimit dhe inovacionit. Gjithashtu, pas një dekade rifunksionalizuam Këshillin Kombëtar të Shkencës, që tashmë ka hartuar programin kombëtar të shkencës, i cili është dokumenti bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në vend”, shkruan Kurti.