Kurti: Me vjen keq që Spanja se njeh Kosovën, Borrell po largohet nga puna e tij

26 nëntor 2022 | 23:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkuar në Spanjë për të marrë pjesë në kongresin e Internacionales Socialiste.

I pari i qeverisë së Kosovës, gjatë kësaj vizite, në një intervistë për “El Periódico de España – EPE”, ka thënë ndër tjerash se ai dëshiron që shteti i Kosovës të bëhet gjithnjë e më i fortë dhe se, siç ka thënë ai, Vetëvendosja ka dashur ka qenë një Vetëvendosje çlirimtare.

“Unë jam socialdemokrat evropian, por në të njëjtën kohë dua që shteti i Kosovës të bëhet gjithnjë e më i fortë. Vetëvendosja që ne kemi dashur gjithmonë ka qenë një vetëvendosje çlirimtare. Nuk bëhet fjalë për një vetëvendosje për të vendosur një hegjemoni, një vetëvendosje egoiste, vetëm për të qenë të ndarë. Ishte një vetëvendosje kundër represionit, sepse në federatën jugosllave ne ishim më të varfërit dhe më të shtypurit. Nuk donim të ndaheshim sepse ishim më të pasurit, por sepse ishim më të varfërit. Shpirti im është socialdemokrat dhe vetëvendosja jonë ishte antikolonialiste”, ka thënë i pari i qeverisë së Kosovës.

Ai ndër tjerash ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga Spanja vjen si shkak i mosnjohjes së situatës.

“Më vjen keq që Spanja është në pakicën e vendeve të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin, përfshirë Spanjën. Dhe në BE nuk na njohin vetëm pesë, mes tyre edhe Spanja, por Spanja është shteti më i madh që nuk na njeh. Mendoj se kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës. Kur e shpallëm pavarësinë, nuk e di se cili nga politikanët spanjollë do të formulonte analogji të gabuara me rastin e Kosovës”, ka thënë kryeministri.

Tutje, Kurti i pyetur për kohën kur ai mbronte idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë, kryeministri tha se, se Kosova dhe Shqipëria se nuk janë dy kombe të ndryshme por dy shtete të ndryshme.

“Kemi më shumë se një shekull problem me Serbinë dhe e kemi në tërësi të kombit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria nuk janë dy kombe të ndryshme, por dy shtete të ndryshme, e njëjta gjuhë, e njëjta origjinë kulturore… dhe Shqipëria është në NATO, edhe ne duam të anëtarësohemi: jemi në rrezik të vazhdueshëm për shkak të marrëdhënieve të forta të Serbisë me Rusinë”, ka vijuar Kurti.

Pos këtyre, ai ka folur edhe për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell, duke thënë se, sipas tij Borrell po largohet nga puna e tij e përfaqësimit, nga zgjidhja evropiane e përkrahur nga Franca e Gjermania.

“Mendoj se ndoshta zoti Borrell po largohet nga puna e tij e përfaqësimit, nga zgjidhja evropiane e mbrojtur nga Franca dhe Gjermania. Unë besoj se një kryeministër nuk duhet të fokusohet në çështje aq teknike sa çështja e tarifave të regjistrimit. Dhe zoti Borrell duhet të shtyjë për një marrëveshje të vërtetë dypalëshe me Serbinë, në vend që të vrapojë me këtë çështje”, ka shtuar ai.

Më tej, kryeministri i Kosovës ka folur edhe për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit.

“Qendra rajonale e Sputnik TV për Ballkanin është në Beograd. Ata kanë edhe një organizatë, të cilën e quajnë Qendra Humanitare Ruse, në Nish, 160 kilometra nga Prishtina. E quajnë “qendër humanitare”, dhe kjo është një mënyrë mjaft cinike për ta quajtur, si për të thënë: “Nëse ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 ka qenë humanitare, është edhe e jona”. Tani Putini nuk ndalon së na emërtuari. Ai dëshiron që Kosova të jetë një shtet i dështuar. Do të thotë se ndërhyrja perëndimore në Irak dhe Afganistan ka qenë një dështim, dhe se Kosova ka qenë një sukses i përkohshëm, i cili do të përfundojë gjithashtu një dështim. Ia heq gjumin se Kosova po bëhet gjithnjë e më e suksesshme. Ne kemi ngritur 17 pozicione në listën e Transparency International për luftën tonë kundër korrupsionit”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimi i pakuptimtë josportiv dhe agresiv i Kombëtares së Serbisë…