
Kurti: Medalja e Donjeta Sadikut është e veçantë për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se medalja e artë e fituar nga boksierja Donjeta Sadiku në turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja” në Bullgari ka rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ajo është fituar pas 48 vitesh. Kurti ka shtuar se Donjeta Sadiku po e ndjek rrugën e legjendës Mehmet Bogujevci.
“Donjeta Sadiku ka shkëlqyer në turneun ndërkombëtar të boksit ‘Strandja 2025’ në Sofje, duke fituar medaljen e artë kundër boksieres nga Kazakistani me rezultat bindës 5:0. Gjatë rrugës drejt medaljes, Donjeta realizoi tri fitore, duke dëshmuar formën e saj të shkëlqyer dhe nivel të lartë të boksit. Njëherësh ajo mori titullin e një ndër boksieret më të mira të garës”, ka thënë Kurti.
“Turniri ‘Strandja’ është një nga turniret më të vjetra të boksit amator dhe këtë vit shënon edicionin e 76-të. Kjo medalje ka rëndësi të veçantë, ku pas 48 vitesh, Donjeta bëhet boksierja e parë nga Kosova që e fiton të artën në këtë turne, duke ndjekur gjurmët e legjendës Mehmet Bogujevci, i cili e fitoi të artën në vitin 1977. Në këtë garë, medalje të bronzta fituan Loris Idrizi dhe Bashkim Bajoku, ndërsa referi ynë ndërkombëtar Latif Demolli po ndan drejtësinë në turne. Urime Donjetës dhe tërë ekipi tonë! Suksese në garat e radhës”, ka shtuar Kurti.