Kurti: Mërgata jonë ka kapital të madh social të cilin mezi pret ta vë në shërbim të vendit
Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar lëvdatat për mërgatën e Kosovës.
Derisa ka vlerësuar lartë Programin për Diplomaci Qytetare të MPJD-së, ku ka diplomuar gjenerata e dytë e profesionistëve të rinj nga mërgata, ai ka thënë se mërgata ka kapital të madh social të cilin mezi pret ta vë në shërbim të vendit.
Kurti ka shkruar në “Facebook” se mërgata ka ekspertizë profesionale dhe perspektivë globale.
“Programi për Diplomaci Qytetare është një nismë e jashtëzakonshme e Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Mbrëmë diplomoi gjenerata e dytë e profesionistëve të rinj nga mërgata që i kanë shërbyer vendit të tyre përmes angazhimit në institucionet shtetërore për dhjetë muaj për çka i uruam dhe falënderuam përzemërsisht. Njëkohësisht, mirëseardhje i dëshiruam gjeneratës së tretë dhe grupit më të madh të këtij programi me gjithsej 25 profesionistë. Mërgata jonë ka kapital të madh social të cilin mezi pret ta vë në shërbim të vendit tonë. Ka njohuri të vyera, ekspertizë profesionale dhe perspektivë globale, që janë qenësore për zhvillimin tonë. Programi për Diplomaci Qytetare është platforma jonë për ta”, ka shkruar Kurti.