Kurti merr mbështetje nga Britania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, sot në Parlamentin Britanik në Londër ka takuar kryesuesin e Grupit Parlamentar të Laburistëve, John Cryer, ministrin e Punëve të Jashtme në hije Khalid Mahmood dhe këshilltarin komunal në Waltham Forest, Kastriot Berberi.
“Diskutuam për marrëdhëniet e mira bilaterale midis dy vendeve dhe dy partive tona, situatën socio-ekonomike në Kosovë, për ndryshimet politike pas fitores sonë në zgjedhjet e 6 tetorit, si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon Britania e Madhe lidhur me Brexit-in”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Kurtit, ministri i Punëve të Jashtme në hije Khalid ka shprehur vullnetin për bashkëpunim dhe për të përkrahur qeverinë e ardhshme në fushën e investimeve, tregtisë e drejtësisë si dhe për të ndihmuar e përkrahur Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në këtë takim. Kurti ka qenë i shoqëruar nga deputetet Saranda Bogujevci e Fitore Pacolli si dhe nga Agim Morinën koordinator i Qendrës së Vetëvendosjes në Britani të Madhe.
/Epoka e re/