Kurti merr mbështetjen e deputetëve nga komunitetet joshumicë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
“I takuam të gjithë bashkë dhe me sa di unë vetëm LV-ja dhe Ambasada Amerikane kanë arritur t’i takojnë të 10 deputetët njëkohësisht. Ishte kënaqësi që të diskutojmë se si qeveria në ardhje do të ketë në fokus sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik e mirëqenien e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasyshë përkatësinë etnike, statusin shoqëror e dallimet tjera”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” deputetja e LV-së, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se në Qeverinë Kurti prioritet do të jetë përmbushja e pritjeve të qytetarëve për ndryshim, e kjo, sipas saj, u pa dhe në këtë takim.
“Të gjithë deputetëtët e komuniteteve joshumicë, edhe një herë shprehën mbështetjen për Qeverinë Kurti dhe diskutimi u fokusua në të mirën e përgjithshme, në projektet që përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve, në mbështetje të atyre që kanë më shumë nevojë e në ketë mënyrë në të mirën e secilit”, ka shkruar Nagavci.