Kurti merr pjesë në hapjen e ekspozitës në Gjermani “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, e cila është hapur në Berlin nga autori, Shkumbin Brestovci.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se historia e rezistencës paqësore dhe e shtetformimit në Kosovë gjatë dekadës së fundit para fillimit të luftës çlirimtare është konceptuar dhe paraqitur para publikut gjerman në Berlin, përmes një ekspozite dokumentuese.
“E kuruar nga autori Shkumbin Brestovci dhe e titulluar “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, në të janë ekspozuar fotografi dhe materiale të tjera dokumentare, përmes së cilave publiku ndërkombëtar mund të njihet me një nga historitë më autentike të një rezistence paqësore kundër një regjimi të apartheidit në Evropë, çfare ishte ajo e popullit të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka thënë se këtë ekspozitë e ka vizituar bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili edhe e hapi këtë ekspozitë.
“‘Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998’, është organizuar pikërisht nga një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Fondacionit Friedrich Ebert-Stiftung dhe Institutit Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.
Në kuadër të ekspozitës, mbrëmë u mbajt edhe një panel diskutimi në të cilin morën pjesë Geert Ahrens, diplomat gjerman, që përfaqësoi OSBE-në gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e fillimviteve ‘90-ta, Rafael Biermann, politolog dhe Linda Gusia, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje kryeministri i vendit ka thënë se: “Rruga e ndjekur nga vendi ynë Kosova si dhe nga populli dhe liderët politikë të saj në të kaluarën, janë historia e domosdoshme prej nga nisemi për të ardhmen tonë politike krah vendeve të Bashkimit Evropian. E në këtë rrugë, shumëçka kalon kah Berlini dhe Gjermania, vendi ynë mik dhe aleat sikur në vitet tona më të vështira, ashtu edhe sot kur synojmë integrimin dhe anëtarësimin në strukturat euro-atlantike”.