Kurti, ministrave: Kemi punuar pa asnjë skandal
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për një vit qeverisje kanë punuar pa e pasur asnjë skandal, me transparencë dhe llogaridhënie.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kurti ka deklaruar se kjo gjë nuk është parë më herët në qeverisjes e kaluara.
E për këto arritje, Kurti ka falënderuar ministrat duke u thënë se kanë bërë punë shembullore.
“Punët i kemi bërë në dritën e diellit pa asnjë skandal dhe me transparencë e llogaridhënie të paparë ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit. Andaj ju falënderoj të gjithë juve dhe ekipit e kolegët tuaj në ministritë përkatëse për këtë rezultat shembullor në vitin e parë të qeverisjes sonë”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, Kurti u ka thënë ministrave se edhe këtë vit i pret punë e madhe në qeverisje.
“Nevojitet edhe një vit tjetër që të arrijmë në gjysmën e mandatit, prandaj kemi shumë punë këtë vit, por nuk ka dyshim që me vullnetin që kemi, dijen që kemi, përvojën që kemi fituar, nuk ka sfida të cilat nuk do t’i kalojmë së basku për hir të popullit, shtetit e kombit tonë”, ka thënë Kurti.