Kurti, ministrave: Koha për t’i përmbushur premtimet po kalon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës në 2/3 e mandatit në krye të qeverisë.
Kurti e ka nisur mbledhjen e qeverisë, duke numëruar disa prej sukseseve të arritura, derisa ka theksuar se të enjten bëhen 32 muaj të qeverisjes së tij.
Megjithatë, ai ka thënë se ende ka punë për t’u bërë. Në fjalimin para kabinetit qeveritar të mërkurën, Kurti ka thënë se “datat si këto shërbejnë si moment kujtimi çfarë kemi bërë si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”.
Duke thënë se “çdo ditë na përkujtohet se çka s’është bërë e çka ka mbetur të bëhet”, Kurti ka zgjedhur t’i përmendë ato që i ka vlerësuar si punë të mira të kryera. Ai ka përendur përballjen me pandeminë, duke lavdëruar qeverisjen për vaksinimin.
Më tutje, ai ka përmendur si punë të kryer edhe “shpërndarjen e të hyrave tatimore të qytetarët përballë inflacionit dhe krizën energjetike, por jo vetëm”.
Kurti ka thënë se qeveria e tij ka mbështetur studentët, familjet në nevojë, pensionistët dhe zyrtarët publikë.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe punësimin e të rinjve e subvencionimin e rrogave.
Kurti ka thënë se nënat lenona për herë të parë marrin mjete, ndërsa ka shtuar se mbi 387 mijë fëmijë marrin shtesa.
Gjithashtu, Kurti është lavdëruar për rritjen e buxhetit për ushtrinë, përkrahjen për bujqit e organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kurti ka folur edhe për veriun, duke shtuar se janë mbyllur shumë rrugë ilegale që përdoreshin për kontrabandë.
“Sot në katër komunat tona në veri, ka më shumë qetësi e siguri për qytetarët tanë”, ka shtuar Kurti, duke thënë se janë bërë mbi 2 100 konvertime të targave ilegale në RKS dhe se është rritur interesimi i serbëve për pasaporta të Kosovës. /EO