Kurti mirëpriti ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur të martën ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në vendin tonë.
Kryeministri Kurti i ka uruar fillimisht mirëseardhje ministrit Arbel, veçanërisht me rastin e marrëveshjes në mes të dy shteteve tona për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.
Ai e ka vlerësuar këtë marrëveshje si zhvillim pozitiv në marrëdhëniet Kosovë-Izrael, por edhe lajm i mirë për qytetarët tanë, i cili vjen 6 muaj pasi u arrit dhe liberalizimi i vizave me zonën Shengen.
Vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet e nënshkruara në fusha e sektorë të ndryshëm mes nesh, janë rezultat i zgjerimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit.
Është nënvizuar rëndësia e fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit ekonomik, rritjes dhe promovimit të shkëmbimeve tregtare, për të cilën kryeministri dhe i ftoi kompanitë dhe investitorët izraelit që të hulumtojnë e njohin prej së afërmi ambientin e përshtatshëm të të bërit biznes që ofron Kosova.
Kryeministri Kurti ka përmendur dhe iniciativën për renovimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Prizren projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në përfundim të takimit, ai ka falënderuar ministrin Arbel për vizitën dhe bisedën e frytshme.