Kurti: Mjedisi na përket të gjithëve, shteti nuk mund të rrijë spektator
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ka thënë se në programin e partisë që drejton zë vend edhe mjedisi.
“Sfidat me të cilat përballet mjedisi e natyra në Kosovë janë nga më të shumtat, e ndonjëherë politikanët populistë veshin ndonjë bluzë të bardhë e dalin kinse të pastrojnë ndonjë park”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Dita e tokës shënohet sot në shumë vende të botës, si një nga datat e rëndësishme të lëvizjes ndërkombëtare për ruajtjen e mjedisit. Politikat për mirëmbajtjen e mjedisit janë pjesë e programit politik të secilit subjekt socialdemokrat, e sigurisht edhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Toka është planeti ynë e dheu ynë. Ashtu siç nuk kemi planet rezervë, nuk kemi as Kosovë rezervë.
Sfidat me të cilat përballet mjedisi e natyra në Kosovë janë nga më të shumtat, e ndonjëherë politikanët populistë veshin ndonjë bluzë të bardhë e dalin kinse të pastrojnë ndonjë park. Mirëpo problemet mjedisore nuk zgjidhen pa një shtet të fortë, që e ndal shfrytëzimin pa sistem e pa rregull të bjeshkëve, të cilat po shkatërrohen prej prerjes së drurëve e sidomos prej nxjerrjes së gurëve, nga gurthyesit e shumtë, gjersa shtretërit e lumenjve po keqpërdoren për zall.
Anarkia e prodhuar nga synimi i mafias së ndërtimit për të nxjerrë materiale ndërtimore sa më të lira, shoqëruar me paaftësinë e qeverive tona për të zbatuar ligjin, po na e shkatërron natyrën. E mungesa e investimeve në modernizim të ngrohtoreve apo të industrive që prodhojnë energji, mungesa e imponimit të përdorimit të filtrave në fabrikat që ende punojnë, prodhon një paradoks: Kosova është ndër vendet e rralla me industri thuajse të shkatërruar krejt, që vuan nga ndotja industriale.
Mungesa e guximit në aplikimin e planeve të urbanizmit, për të zgjeruar rrugët e trotuaret, për të bërë parqe e parkime e për të zvogëluar dendësinë e banorëve, ngarkon me ndotje qytetet tona.
Këto probleme do t’i zgjidhim, jo thjesht me fushata vetëdijësuese, por përmes politikave shtetërore, kur në qeveri ta sjellim Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Mjedisi na përket të gjithëve, dhe shteti nuk mund të rrijë spektator kur sheh se si ambiciet dhe dëshira për përfitim e disa njerëzve shndërrohet në shkak për sëmundjen e shumicës së të tjerëve.