Kurti mori pjesë në konferencën e organizuar nga Partia e Socialistëve Evropian
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Partia e Socialistëve Evropian dhe grupi S&D, që për qëllim kishte adresimin e sfidave rreth Covid-19, situatën politike dhe rrugët e bashkëpunimit e solidaritetit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë konferencë, kryeministri Kurti i njoftoi përfaqësuesit e partive të majta në Evropë për menaxhimin e suksesshëm që Qeveria e Kosovës ka bërë për ta parandaluar përhapjen e virusit Corona, për të rritur numrin e të shëruarve, dhe zvogëluar vdekshmërinë e pacientëve të prekur.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Kurti në këtë konferencë përmendi edhe masat që ka ndërmarr qeveria për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset, njëherësh duke vlerësuar edhe ndihmën financiare e materiale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera aleate të Republikës së Kosovës.
“Rreth situatës politike, kryeministri Kurti i njoftoi të pranishmit për vendimin antikushtetues të Presidentit për ta bërë qeverinë e re me partitë e vjetra, ku theksoi se e vetmja rrugë përpara është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve pas kalimit të pandemisë. Pra, ajo e respektimit dhe jo e shkeljes së vullnetit qytetarë të shprehur me datë 6 tetor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndërkaq në njoftim theksohet se për suksesin e një angazhimi të përbashkët, sipas kryeministrit Kurti, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtarë është i nevojshëm të ndodhë jo vetëm brenda institucioneve Evropiane, por edhe nëpër vështirësitë dhe betejat shoqërore e politike me të cilat përballemi. “Solidariteti ndërkombëtarë është çështje e një organizimi pragmatik bazuar në angazhime që japin efekte”, ka thënë Kurti në fund të fjalës së tij.
(M.Q / Epoka e re)