Kurti: Mungesa e përgjigjeve për vendndodhjen e personave të zhdukur rëndon normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1 600 personave të zhdukur ka rënduar jetën e familjeve e po ashtu edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai këto komente i ka bërë gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke theksuar se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror dhe humanitar.
Kryeministri Kurti, ka theksuar se varret e hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës janë dëshmi e madhe e gjenocidit të shkaktuar nga Serbia.
“Mungesa e përgjigjes për fshatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojnë në ankthin e pritjes. Shumë varre të hapura e të zbraztë anë kënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre duke qenë breng e Kosovës sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë.
“Më 22 prill të këtij viti në Batajnicë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, ku u organizuan stërvitje ushtarake. Nën poligonin e qitjes së policisë në Batajnicë në një varr masiv janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve të Kosovës. Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transferuan në Serbi për rivarrim në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës. Midis atyre trupave ishin 46 anëtar të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15-vjeçare. Mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Aty nuk është e vendosur ndonjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty. Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve e të quajtur ‘Patkoi’”, ka thënë Kurti.
Ndërsa kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se në Kosovë është gërmuar në 15 lokacione të ndryshme të cilat kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë tjera kockore.