
Kurti: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare, cenim ndaj demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Nenad Rashiq kanë mbajtur sot konferencë për medie, në të cilën kanë folur ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, raporton “Epoka e re”.
“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është një cenim që i bëhet demokracisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ajo ka ndikuar në përzgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave joserbe, të cilët janë në kontrollin e plotë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, të qeverisë, të inteligjencës dhe të krimit të organizuar atje. Kësisoj Serbia orvatet që vendin tonë ta mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Kurti në konferencën për media.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e fundit format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore, si rezultat i rendit dhe sundimit të ligjit.
“Luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal, fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet dhe vrasjet nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe financimi financiar. Shantazhi e frikësimet e kërcënimet, por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti.