Kurti në 13-vjetorin e rënies së Enver Zymerit: Hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar heroin Enver Zymeri në 13-vjetorin e rënies.
Kurti ka thënë se Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe i sovranitetit republikan të Kosovësdhe se kjo sa vjen e bëhet më e qartë në çdo përvjetor të rënies së tij. Sipas Kurtit, gjendja në terren në pjesën veriore të Kosovës, ka ndryshuar rrënjësisht që nga koha kur Enveri u vra, raporton Express.
“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti ka thënë se operacioni i Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator, gjatë sulmit nga grupi terrorist, është dëshmia më e mirë e nivelit të policëve të Kosovës dhe e faktit që angazhimi dhe rënia e Enver Zymerit nuk kanë shkuar kot.
“Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj. Lavdi heroit të Kosovës, policit Enver Zymeri mes nderimesh dhe mirënjohjesh për punën e përditshme të Policisë së Kosovës, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, për drejtësi dhe barazi, për liri dhe paqe, për republikën e përbashkët dhe për Kosovën e dashur”, ka shkruar Kurti.
Enver Zymeri u plagos në kokë nga një plumb snajperi gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, i zhvilluar në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011. I qëlluar duke shërbyer në krye të detyrës, polici Enver Zymeri vdiq pas 18 orësh.