Kurti: Në 48 orët e fundit, 800 transaksione të regjistruara nëpërmjet Postës në katër komunat veriore
Kryeministri i Kosovës, ka thënë se në 48 orët e fundit janë bërë rreth “800 transaksione të regjistruara nëpërmjet Postës në Leposoviq, Zubin Potok, Mitrovicë të veriut dhe Zveçan”.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se ky institucion po rritet çdo ditë e më shumë, ku ka thënë se në gjithë vendin janë hapur nëntë zyra të reja.
“Janë hapur nëntë zyra të reja gjithandej vendit, katër prej të cilave në katër komunat në veri të vendit, përfshirë atë në Zveçan që është funksionalizuar nga sot. Vetëm në 48 orët e fundit janë rreth 800 transaksione të regjistruara nëpërmjet Postës në Leposoviq, Zubin Potok, Mitrovicë të veriut dhe Zveçan”.
Kurti ka folur edhe për shërbime tjera që po realizohen nga posta, duke thënë se investimet kapitale për periudhën janar-shtator të këtij viti janë mbi 70% më të larta sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
“Pas pilot projektit të suksesshëm në qershor të këtij viti, nga muaji tetor Posta po realizon shërbimin e aplikimit për Vula Apostile dhe Legalizuese për të gjitha dokumentet që vulosen në Departamentin për Çështje Konsullore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në platformën e-Kosova po integrojmë të gjitha shërbimet postare, duke filluar me deklarimin e adresës postare, ndërkaq me “One Stop Shop”, po u mundësohet qytetarëve të kryejnë shërbimet e tyre në qendrat e Postës për disa institucione pa pasur nevojë të shkojnë drejtpërdrejt te to. Investimet kapitale për periudhën janar-shtator të këtij viti janë mbi 70% më të larta sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2022. Me vlerësimin me Opinion të Pamodifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Posta po kthehet në shembull të menaxhimit financiar të ndërmarrjeve publike”, ka shkruar Kurti.